Sitemap
Aleksandra Vito

Aleksandra Vito

Me kryq në qafë

4 min read1 day ago

Ka kohë që nuk shkruaj. Shumë muaj, në fakt.

Jo sepse më ka munguar koha, por sepse më ka munguar muza.

Mund të duket një arsye e thjeshtë, ndoshta edhe një justifikim i bukur, por për dikë që shkruan, mungesa e muzës është një lloj heshtjeje që nuk matet me ditë apo muaj.

Nuk e quaj veten shkrimtare. As poete. Nuk kam një formim profesional që të më japë guximin e këtyre titujve.

Kam thjesht një talent, ndoshta. Ose, më saktë, një nevojë të pashpjegueshme për t’u dhënë fjalë ndjenjave.

Sa herë më duhet të prezantohem përpara një grupi të ri njerëzish, vjen në mënyrë të pashmangshme ajo pyetja e njohur:

“Na thuaj disa fjalë për veten.”

Dhe unë, diku mes përpjekjes për të dhënë përgjigjen e shkurtër dhe dëshirës për të qenë e sinqertë, përgjigjem:

“Quhem Aleksandra, shkurt Aleksa. Jam 29 vjeç, punoj si software developer dhe në kohën e lirë më pëlqen të shkruaj ese e poezi.”

Gjithmonë më ka intriguar mënyra se si dy botë kaq të ndryshme mund të bashkëjetojnë brenda të njëjtit njeri.

Njëra kërkon logjikë, rregull dhe zgjidhje.

Tjetra nuk njeh rregulla.

Ajo kërkon vetëm të ndihet.

Ndoshta kjo është arsyeja pse, në ditët kur logjika nuk më jep përgjigje, i drejtohem diçkaje tjetër.

Lutjes.

Kam menduar shpesh për mënyrën se si njeriu lutet në kohë trazirash.

Për atë çast kur gjithçka që mund të bëjë duket e pamjaftueshme dhe fjalët që i drejton qiellit mbeten e vetmja formë veprimi që njeh.

Ndoshta është empatia ime, herë herë më e madhe sesa di ta mbaj, që më bën t’i ndiej kaq fort gjërat.

Ndoshta është pamundësia për të qëndruar indiferente përballë dhimbjes.

Nuk e di.

Di vetëm se, në momentet gri të jetës, me gjithë kufizimet e mia njerëzore, unë lutem.

Lutem për një mrekulli.

Për një ndryshim.

Për shëndet të plotë.

Për një qiell të ri.

Jo sepse pres që dielli të ndryshojë.

Dielli do të jetë po ai.

Por shpresoj që retë, një ditë, të humbasin grinë e tyre.

Që qiellin ta shohim sërish me kureshtje, jo me frikë.

Me dëshirë, jo me pasiguri.

Imagjinoj rrugë që mbushen përsëri me zhurmën e makinave.

Vende që pastrohen nga mbeturinat.

Njerëz që u rikthehen zakoneve të tyre të përditshme, por jo më si ata që ishin më parë.

Sepse ndonjëherë nuk mjafton që jeta t’i rikthehet normalitetit.

Duhet që edhe ne t’i rikthehemi jetës ndryshe.

Me më shumë mirënjohje.

Me më pak indiferencë.

Me një vetëdije të re për gjithçka që kemi marrë si të mirëqenë.

Dhe atëherë më pëlqen të mendoj se edhe shpresa, ajo që në rrëfimin e kutisë së Pandorës mbeti në fund, do të gjejë më në fund rrugën për të dalë.

Sa e çuditshme është shpresa!

Diçka kaq e vogël, ndonjëherë pothuajse e padukshme, e megjithatë me një fuqi madhështore mbi shpirtin njerëzor.

Get Aleksandra Vito’s stories in your inbox

Join Medium for free to get updates from this writer.

Ajo nuk i zhduk fatkeqësitë.

Nuk i shëron vetë plagët.

Nuk e ndryshon botën brenda një nate.

Por na jep një arsye për të besuar se ndryshimi është ende i mundur.

Prandaj lutem.

Lutem si një njeri i zakonshëm, pa fuqi të mbinatyrshme, pa përgjigje për gjithçka dhe pa premtimin se nesër do të jetë më mirë.

Lutem për një lëvizje të lirë.

Për një det të pastër.

Për një buzëqeshje të sinqertë.

Por, mbi të gjitha, lutem që njerëzit të mos e harrojnë humanitetin.

Të mos harrojnë se janë njerëz.

Se nuk janë krijuar për të jetuar të shkëputur nga njëri-tjetri.

Se forca jonë nuk buron vetëm nga ajo që arrijmë individualisht, por edhe nga ajo që jemi në gjendje t’i japim dikujt tjetër.

Një dorë. Një fjalë. Një mirësi. Një shpresë.

Ndoshta përditshmëria na i ka errësuar ngjyrat.

Ndoshta jeta, me gjithë të papriturat e saj, na ka bindur se bota është më gri sesa e kujtonim.

Por ne ende e kemi paletën në duart tona.

Nganjëherë mjafton të ulim kokën për ta parë.

Të marrim penelin dhe të guxojmë të ngjyrosim përsëri.

Të rikthejmë diçka nga fëmijët që kemi qenë dikur.

Nga ajo çiltërsi që nuk e njihte ende zhgënjimin.

Nga besimi i pafajshëm se njerëzit mund të jenë të mirë dhe se e mira, sado e vogël, ka rëndësi.

Të besojmë përsëri.

Te vetja.

Te njëri-tjetri.

Te mundësia se bota nuk ka humbur gjithçka që e bën njerëzore.

Dhe ndërsa i mendoj të gjitha këto, prek kryqin që mbaj në qafë.

Nuk e di nëse lutjet e mia arrijnë aq lart sa shpresoj.

Nuk e di nëse një qiri i vetëm mund të ndriçojë përtej errësirës që e rrethon.

Por di se nuk jam e vetmja që lutem.

Diku, një tjetër njeri po kërkon të njëjtën mrekulli.

Diku tjetër, dikush po shpreson për të njëjtin ndryshim.

Dhe ndoshta, pa e ditur, jemi shumë më tepër sesa mendojmë.

Atëherë pse të mbetemi secili me qirin e vet?

Do të doja t’i mblidhja të gjithë këta qirinj.

T’i afroja pranë njëri-tjetrit, derisa dritat e tyre të mos dukeshin më si flakë të vetmuara, por si një zjarr i madh.

Një zjarr që të shihej që nga Lart.

Sepse nëse krijimi i dha dikur jetë kësaj bote, përse të mos besojmë se brenda saj mund të ndodhin ende mrekulli të vogla?

Ndoshta jo ato që ndryshojnë ligjet e natyrës.

Por ato që ndryshojnë zemrën e një njeriu.

Dhe përmes saj, pak nga pak, botën.

Le t’i ndezim ata qirinj, njerëzit e mi.

Le t’i ndezim.

--

--